Kryetari i Partisë Liberale Serbe, deputet i Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petroviç, konfirmoi se është sulmuar fizikisht në një restorant të Prishtinës, nga Milan Kostiç, këshilltar i ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, anëtar i Listës Serbe.

Në një konferencë për media Petroviç tha se sulmi vjen pas një fushate kundër tij nga Lista Serbe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Arsyeja e këtij sulmi është se unë prej 15 vjetësh udhëheq politikë të paqes, bashkëjetesës e tolerancës. Javën e kaluar i jam drejtuar me shkrim Presidentit Vuçiç, pasi disa herë më ka përmendur personalisht dhe ka folur të pavërteta për punën time. Kemi përvojën e hidhur të vrasjes së Oliver Ivanoviçit për çështje të njëjta dhe në letër e kam lutur presidentin serb, që para se të japë çfarëdo deklarate për mua, t’i shqyrtoj faktet”, tha Sllobodan Petroviç.

Pavarësisht kërcënimeve e sulmeve, Petroviç tha se nuk do të ndalet së punuari për interesat e serbëve në Kosovë.

“Unë jam përfaqësues i komunitetit serb në Kuvend dhe do t’i mbroj interesat e komunitet serb për një jetë më të mirë këtu. E di që serbët në Kosovë janë të frikësuar për një kohë të gjatë nga ata që do të duhej t’i mbronin. Por, pa marrë parasysh brishtësinë tonë, ne do luftojmë për vlera e kualitete dhe se do të promovojnë çdo gjë që është e mirë për popullin serb”, tha Petroviç.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se sulmi ndaj Petroviçit, është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit. Ndërkohë, lidhur me këtë rast, policia ka prangosur dy persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA