Protestat antiqeveritare në Serbi nisën dhjetorin e vitit të kaluar, e të shtunën mbërriten një pikë kulmore me mësymjen e stacionit televiziv shtetëror serb.

Ato janë kthyer në shprehjen më të qartë të pakënaqësisë me qeverisjen aktuale të vendit dhe presidentin Aleksandar Vuçiç.

Vuçiç ndërkohë konsiderohet si person me një qëndrim miqësor ndaj Rusisë dhe politika e tij përballë Kremlinit, siç thotë “Deutsche Welle”, është e parashikueshme.

Në këto kushte, çfarë do të ndodhte me këto marrëdhënie të ngrohta dypalëshe, nëse Vuçiç largohet nga posti? A do t’i afrohej fundi miqësisë ruso-serbe?

“Në lojë, – vazhdon media gjermane, – krahas interesave politike janë edhe ato ekonomike”.

Serbia blen armë dhe lëndë të para ruse. Beogradi është i interesuar për tubacionin rus të gazit “Turkish Stream”, që po ndërtohet aktualisht. Njëra nga degët parashikohet të kalojë përmes Serbisë jugore, në afërsi të Kosovës.

Të gjitha këto, Oleg Bondarenko i “Fondacionit të politikës progresive” të Rusisë i sheh si të rrezikuara, nëse Vuçiç nuk do të jetë më president.

Në bisedën me “DW”, politologu shqetësohet për investimet ruse në ekonominë serbe dhe për stabilitetin e Kosovës. Sipas tij, Moskës i nevojitet një Serbi e qëndrueshme, ndërsa supozon se në këto ngjarje ndikon Perëndimi dhe ushtron presion ndaj presidentit, në mënyrë që Vuçiç të jetë politikani i parë serb që të njohë Pavarësinë e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA