Polica kufitare Delta Force dhe drejtoria e qarkut Vlorë në një aksion të përbashkët kanë kapur 328 kg hashash në Gjirin e quajtur Petruna në gadishullin e Karaburunit, në dy gomone . Në këtë operacion policor janë përfshirë rreth 80 forca policore, Prokurorë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, mjete lundrimi të Delta – Forcës, Policisë Kufitare si dhe mjete të Policisë të DVP-Vlorë.
Mësohet se pas një hetimi të gjatë me metoda speciale, si dhe pas 72 orësh operacion për gjurmimin, ndjekjen dhe gjetjen e mjeteve lundruese, të lëndës narkotike si dhe kapjen e arrestimin e personave të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, mesditën e sotme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Petruna”.
Në Gjirin e Petrunës, në gadishullin e Karaburunit, u sekuestruan 328 kg kanabis si dhe dy mjete lundruese “gomone”. Në pranga, përfunduan 10 persona që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal.
Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrance i Elton Muços, 40 vjeç si dhe Olsi Ylli 30 vjeç, dhe ndalimi i 8 personave anëtarë të një grupi kriminal të strukturuar, të cilët janë:
E. Ç., 35 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit; S. D., 45 vjeç, banues në Vlorë, në rolin e organizatorit; A. Gj., 22 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit; Xh. H., 26 vjeç, banues në Orikum Vlorë, anëtar i grupit kriminal; G. K., 27 vjeç, banues në Dukat Vlorë,anëtar i grupit kriminal; N. S, 45 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal; O. P., 29 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal; E. M., 40 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal; H.B, 51 vjeç, banues në Dukat Vlorë, antar i grupit kriminal; A.B., 19 vjeç, antar i grupit kriminal.
Mësohet se operacioni nisi tre ditë më parë me kërkimin dhe gjetjen e dy mjeteve lundruese, që dyshohej se këta shtetas do t’i përdornin për të trafikuar lëndën narkotike drejt Italisë. Organizatorët e këtij grupi kriminal, për t’iu shmangur policisë kishin parkuar në vendbazimin e gomoneve, mjete të tjera lundruese të prishura, ndërsa dy mjetet e rregullta u gjetën nga Policia, njëra në gjirin e Shën Janit dhe tjera në Dukat të Vlorës.
Më pas është bërë krehja e një zone të gjerë në Karaburun, ku në gjirin e Petrunës, forcat policore bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike të fshehur, me peshë totale 328 kg, si dhe arrestimin në flagrancë të shtetasëve O.P dhe E.M, të cilët po ruanin lëndën narkotike.
Top Channel