Franca ka nisur përgatitjet e saj për kualifikueset e “Euro 2020”. Skuadra kampione e botës në fuqi do të nisë këtë aventurë me përballjen ndaj Moldavisë, ku ajo duket favorite për të fituar. Por, për trajnerin Didier Deschamps, skuadra moldave nuk duhet nënvlerësuar aspak.

Sipas Deschamps, shumë gjëra do të varen nga skuadra e tij, por jo gjithçka. Ai vë në dukje faktin se Moldavia do të luajë në fushën e saj, e se do të lërë shumë pak hapësira në mbrojtje. Një situatë me të cilën Franca është përballur edhe më parë, e që për Deschamps nuk është aspak e lehtë të kalohet.

Për këto kualifikuese, trajneri Deschamps ka grumbulluar në skuadër Kingsley Coman, për të cilin ky është një rikthim te Franca, përpara se të bëhej “viktimë” e problemeve fizike.

Sfida mes Moldavisë dhe Francës do të luhet ditën e premte, në orën 20:45 në stadiumin “Zimbru”, në Chisinau. Në fazën finale të “Euro 2020”-s kualifikohen dy të parat e çdo grupi në kualifikuese, si dhe 4 skuadrat fituese të ligave të Nations League.

Top Channel