Fshati Malëshovë, më interesanti nga gjashtë krahinat e rrethit të Përmetit, promovohet në kanalin e Youtube me gazetaren Ilnisa Agolli.
Ai shtrihet në të dy anët e Dhëmbelit dhe është një tjetër bukuri Shqiptare që fle mes vargmaleve dhe përbri çukës së malit Çajup rreth 1200m mbi nivelin e detit.
E djegur tre herë nga Gjermanët, Malëshova si bukuri e turizmit malor, ka disi natyrë të ashpër andaj dhe shpëtimi i banorëve u gjend tek arsimi.
Janë të shumtë figurat intelektuale dhe të shquara të dala nga kjo zonë që kanë njohur kulturën e kurbetin, duke u angazhuar me veprimtari politike dhe atdhetare fare herët. Në vitin 1924 plot 206-të bashkëfshatarë kanë qenë anëtarë dhe vullnetarë të shoqërisë “Vatra” dhe degëve të saj në Amerikë, kontributin e të cilëve e Fan Noli e ka vlerësuar gjithmonë.
Por të famshëm këtë fshat e bën edhe shkrimtari që identifikohet me emrin e krahinës: Sejfulla Malëshova, me poezinë që la gjurmë në kujtesën emocionale të çdo shqiptari “Si e dua Shqipërinë”, e cila u shkrua në vitin 1939 dhe u botua në gazetën “Liria” në Amerikë në vitin 1941. Pak kush e di se deri në vitin 1968 kjo poezi ishte në Antologjinë e Poezisë Shqipe dhe pas këtij viti u hoq prej andej.
Gjithashtu, ajo që e bën mistike historinë e këtij fshati janë legjendat apo gojëdhënat, të cilat duket se sfidojnë edhe imagjinatën njerëzore. Këtu të krijohet ideja e një varfërie ekstreme, e cila zhduket menjëherë nga mendja sapo takon banorët e parë që të mirëpresin aq mirë në këtë fshat të fshehur në natyrë për të cilin thuhet se: “Malëshovën e kanë mbajtur malëshovitët dhe jo Malëshova malëshovitët”.
Këto dhe të tjera, për t’i parë, cekur dhe prekur nga afër përmes kanalit në YouTube në Top Channel.
Mos e humbisni fshatin Malëshovë. Këtë bukuri mistike Shqiptare!
Top Channel