Sfida mes Atleticos së Madridit dhe Barcelonës në futbollin e femrave, e zhvilluar në “Ëanda Metropolitano”, vendosi një rekord si ndeshja që është ndjekur nga më shumë tifozë në shkallët e stadiumit në Europë.
Kjo ndodh pikërisht 3 muaj përpara fillimit të Botërorit për femra, që do të zhvillohet në Francë. Plot 60 mijë e 739 persona ishin të pranishëm në impiantin madrilen për të ndjekur ndeshjen, me Atleticon që e konsideron këtë fakt si diçka historike, pasi përbën një rekord botëror në rang klubesh.
Sa i përket ndeshjes, ajo u fitua nga Barcelona 2-0, me gola të Oshoalës dhe Toni Duggan, me skuadrën katalanase që e ngushton në 3 pikë diferencën me Atleticon në kampionatin e futbollit për femra.
Rekordi i mëparshëm sa i përket futbollit të femrave ishte vendosur po në Spanjë, më 30 janar, në ndeshjen e zhvilluar në “San Mames” mes Athletic Bilbaos dhe Atleticos së Madridit, me 48 mijë e 211 persona të pranishëm në stadium, ndërkohë që rekordi botëror i përgjithshëm është ai i finales së Botërorit të vitit 1999 në Kaliforni, mes SHBA dhe Kinës, e ndjekur nga 90 mijë e 185 shikues në stadiumin “Rose Bowl”.
Botërori i futbollit të femrave do të nisë më 7 qershor dhe skuadra spanjolle do të marrë pjesë në të. Iberiket janë në grupin B të Botërorit, me Gjermaninë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.
Top Channel