1 milionë euro për fermë në Universitetin Bujqësor, Rama: Aktivizojmë një potencial të jashtëzakonshëm

15/03/2019 10:24

Universiteti Bujqësor i Tiranës për herë të parë do të ketë fermën e saj didaktike në shërbim të studentëve dhe pedagogëve. Me vendim të qeverisë është kaluar një fond prej 1 milion euro në dispozicion të këtij projekti me një sipërfaqe prej 135 hektarë.

“Fondi prej 1 milion euro për ndërtimin e fermës së parë didaktike në Universitetin Bujqësor të Tiranës do të aktivizojë një potencial të jashtëzakonshëm e të pashfrytëzuar në funksion të ekonomisë rurale dhe zhvillimit të bujqësisë në vend”, deklaroi kryeministri Rama.

Partneriteti qeveri-universitete në kuadrin e angazhimeve të Paktit për Universitetin, sipas Ramës, do të transformojnë rrënjësisht marrëdhëniet e universiteteve me shoqërinë dhe tregun.

“Sot bëjmë realitet plotësimin e nevojës shumë të vjetër për ndërtimin e fermës didaktike. Qeveria, në mbledhjen e saj të fundit, me kërkesë të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, akordoi një fond prej 1 milion euro në dispozicion të universitetit, që ky i fundit të fillojë këtë ndërmarrje me interes shumëplanësh dhe të krijojë kompaninë e vetë, e cila të bëjë të mundur një ndërlidhje optimale mes punës shkencore dhe tregut”, tha Rama.

Duke nënvizuar rëndësinë që kjo qeveri i jep Universitetit Bujqësor, Rama tha se kjo është e 6-ta herë që viziton ambientet e këtij universiteti, ndërsa shprehu bindjen se “në 25 vitet e mëparshme të gjithë paraardhësit e mi të marrë së bashku nuk kanë ardhur as sa gjysma ime në 3 vjet”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA