Ligjvënësit britanikë kundërshtuan këtë mërkurë edhe mundësinë e braktisjes së Bashkimit Europian pa një marrëveshje paraprake më 29 mars, duke i dhënë kështu një tjetër shuplakë autoritetit të kryeministres Theresa May, veprim i cili i hap dyert Britanisë të kërkojë një shtyrje të “Brexit”-it.
Vendimi i marrë nga Dhoma e Komunëve, ajo e ulët e Parlamentit britanik, është kryesisht simbolik, pasi Britania mbetet ende në rrugën drejt shkëputjes nga BE-ja brenda dy javësh, për sa kohë që nuk arrin një marrëveshje të re me Brukselin.
Krerët e biznesit kanë paralajmëruar se Britania po sheh me kureshtje buzë greminës se çka poshtë, teksa përballet tashmë me mundësinë e përkeqësimit të marrëdhënieve 46-vjeçare Mbretëri e Bashkuar-Bashkim Europian gjatë natës, e gjithashtu me rrezikun e një kolapsi ekonomik në të dyja anët e kanalit të La Manshit (që ndan ishullin nga kontinenti europian).
Madje, mënyra sesi ligjvënësit votuan, tregon edhe njëherë vullnetin në Parlament kundër kaosit për shkak të “Brexit”-it, por edhe mungesën e kontrollit të Mayt mbi të tilla ngjarje të rëndësishme. Ajo iu ofroi deputetëve të votonin mbi opsionin e shkëputjes pa marrëveshje, pasi ata kishin refuzuar një ditë më parë, e për herë të dytë, kushtet e divorcit që ajo vet kishte negociuar me Bashkimin Europian përgjatë shumë muajve.
Propozimi i saj e bënte të qartë se “pa marrëveshje” ishte opsioni tjetër i planit të rakorduar prej saj, por ligjvënësit vendosën të mbështesnin një amendament që refuzonte “daljen pa marrëveshje” në çfarëdolloj rrethane.
Kjo që ndodhi sot iu hap rrugën ligjvënësve britanikë që të enjten të votojnë nëse do t’i kërkojnë BE-së një shtyrje të “Brexit”-it, por Brukseli e ka paralajmëruar Londrën të shpjegojë se çfarë dëshiron.
“Përse duhet të zgjasim negociatat? Për çfarë?”, tha kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, përpara Parlamentit Europian në Strasburg, përpara votimit në Londër.
Paundi britanik pësoi shumë shpejt një tronditje, pasi refuzimit të marrëveshjes së divorcit gjatë së martës, por rikuperoi disi të mërkurën me shpresën se tashmë ligjvënësit do të votojnë në favor të shtyrjes. Qeveria pritet të propozojë një “shtyrje afatshkurtër dhe të kufizuar” të enjten, por po pret edhe një sërë amendimesh që do të diktonin edhe rrugëtimin përpara.
Një grup ligjvënësish konservatorë propozuan këtë të mërkurë t’i kërkohej BE-së shtyrja e “Brexit”-it deri më 22 maj dhe nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh të përkohshme me bllokun deri në vitin 2021. May e kundërshtoi si jo realiste, ndaj dhe ky mocion u rrëzua me 374 vota përkundrejt 164.
Në Berlin, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se “arritja e një shkëputjeje të rregullt mes nesh mbetet në interesin tonë të përbashkët dhe këtë dua ta ritheksoj”. Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi sërish se, marrëveshja që ishte në tryezë ishte “e panegociueshme”.
“Nuk mund ta rinegociojmë akordin që kemi arritur pas disa muajsh të mundimshëm, e për të cilën ne kemi thënë tashmë se është e panegociueshme”, tha shefi i Elizesë.
Top Channel