Edhe pse kishte seancë, opozita nuk protestoi para Parlamentit për të ruajtur forcat për protestën e së shtunës para Kryeministrisë. Megjithatë, surprizat për deputetët e rinj, të cilët u betuan, nuk munguan nga të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Para se seanca të niste, të rinjtë e FRPD-së ironizuan kandidatët e listës së PD-së, të cilët pranuan mandatin.
Disa nga kandidatët e opozitës, para se të betoheshin si deputetë shpjeguan arsyet se, përse dolën kundër vendimit të partisë.
“Interesat e qytetarëve që na kanë votuar mund t’i mbroj më mirë brenda Parlamentit shqiptar”, tha Alban Zeneli, deputet.
“Nuk e di sesi do të votoj. Por, e kam menduar”, tha Ediola Braha, deputete.
“Do të kompletohet edhe me deputetë të tjerë dhe besoj që do të kemi një opozitë shumë konsistente”, tha Ligoraq Karamalo, deputet.
Seanca nisi me betimin njëri pas tjetrit të 7 deputetëve të rinj.
Lefter Maliqi, i cili u ul në karriken e Lulzim Bashës, ishte i pari që foli në foltore si deputet, që pas largimit të opozitës.
“Fati që zura edhe vendin e kryetarit me mandat të dhuruar të Partisë Demokratike dhe jam i bindur që brenda dy muajve, rreshti këtej nga opozita do të jetë plot. Të mos kujtojnë ata që kanë dalë jashtë se janë më të mirë sesa ne që jemi këtu”, u shpreh Lefter Maliqi.
Teksa brenda në seancë flisnin deputetët e rinj, jashtë saj, nga krahu i selisë së Partisë Demokratike, të rinjtë e FRPD-së hidhnin kapsolla në drejtim të Parlamentit, si dhe lëshuan me dron një parullë me mbishkrimin “Parlament i krimit”.
Policia kundërpërgjigjej me ujë.
Nga 3 deputetë të opozitës, të cilët nuk e lëshuan mandatin, Lefter Koka ishte i vetmi që mori pjesë në seancë plenare, por u largua pak para votimit.
“Sigurisht që unë jam pjesë e LSI-së”, tha ai.
Në fund të seancës, 7 deputetët e rinj nuk reflektuan qëndrim të unifikuar si grup. Herë pro dhe herë kundër, ata u ndanë në votim për projektligjet e rendit të ditës.
Top Channel