Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me dibranët këtë të mërkurë, teksa i ftoi që të shtunën të vijnë në Tiranë për të protestuar, me qëllim largimin e qeverisjes së majtë.

Basha dëgjoi ankesat e qytetarëve dibranë dhe premtoi zgjidhje të problemeve të tyre.

“Nuk është e majta, është krimi në pushtet”, i tha Basha një qytetari.

Por, dibranët duket se janë lodhur tanimë nga politika. Ata nuk e fshehin skepticizmin ndaj premtimeve që u bëhen.

“Kjo është padrejtësi kriminale. Por më 16 mars, të shtunën të ftoj ty dhe familjen tënde të na bashkoheni në protestë. Ta shembim këtë qeveri të krimit dhe hajdutërisë që t’iu japim njerëzve si ty mundësinë të punojnë me liri dhe me dinjitet”, tha Basha përpara një tjetër qytetari, i cili i kërkoi besnikëri kreut të PD-së, për të mos dalë nga fjala.

“Unë një akt e kam bërë, mandatet i dogja për të qenë në krahun tuaj, jo në krahun e krimit. Në krahun tënd dhe jo në krahun e Ymer Lalës. Kështu që unë kam folur me akte, jo vetëm me fjalë”, tha kryeopozitari Basha.

Basha u premtoi studentëve, fermerëve dhe tregtarëve, por ai kërkoi më parë pjesëmarrjen e qytetarëve në protestën e së shtunës.

“Me një politikë që do të rrisë pensionet dhe ndihmën sociale, do të rrisë konsumin dhe do të mundësojë që ju t’i shisni produktet tuaja me çmime dinjitoze. Por që të ndodhë kjo, duhet në radhë të parë që ju të nisni betejën për t’u bërë zotër në shtëpitë tuaja”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA