Në karrierën e tij sportive, Christian Panucci ka luajtur mes të tjerash, edhe me Milanin, Interin e Romën, 3 skuadra të cilat këtë sezon po luftojnë për dy vende në zonën Champions të renditjes së kampionatit.

Trajneri i Kombëtares Shqiptare ka analizuar garën mes tre skuadrave, duke thënë se nuk sheh favoritë, pasi deri në fund, çdo njëra prej skuadrave i ka kartat në rregull për të bërë mirë dhe për të surprizuar kundërshtarët.

“Milan, Inter dhe Roma janë të treja aty, në garë për një vend në Champions. Verdhekuqtë duhet të sulmojnë për t’u bërë pjesë e katërshes së parë të renditjes, Milani po bën shumë mirë kohët e fundit, ndërsa Interi ka problemet që dihen tashmë. Megjithatë përpara janë 11 finale për të 3 skuadrat dhe është shumë e vështirë të bëj parashikime”, tha Panucci.

Trajneri i Kombëtares Shqiptare nuk mund të rrinte pa komentuar edhe derbin e Madonninës, Milan-Inter, që është programuar për të dielën në mbrëmje dhe që do të vërë përballë dy pretendentë për zonën Champions.

“Pavarësisht se Milani është dukshëm më në formë kohët e fundit, derbi mbetet derbi dhe është me të tre rezultatet brenda. Nuk duhet të harrojmë se shpesh nga “kafsha e plagosur” vjen goditja e duhur, ndaj mund të them se është një sfidë me të tre rezultatet brenda”, deklaroi trajneri i Kombëtares Shqiptare.

Christian Panucci u pyet edhe në lidhje me situatën e Mauro Icardit te Interi, pasi sulmuesi nuk stërvitet nën urdhrat e Spallettit, që nga momenti kur klubi vendosi t’i heqë shiritin e kapitenit, për arsye që asnjëherë nuk janë thënë publikisht.

“Nuk di çfarë ka ndodhur mes Icardit dhe Spallettit, por është e qartë që situata mes tyre është e vështirë. Njoh Spallettin mirë, por nuk mund të flas pa ditur më parë se çfarë ka ndodhur realisht mes palëve. E vetmja gjë e sigurt që mund të them, është se nga kjo situatë e krijuar po humb vetëm Interi”, tha në intervistën e tij, Panucci.

Top Channel