Mes përplasjesh të forta verbale, Kuvendi i Kosovës zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme ku u diskutua mbi ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara nga ana e Qeverisë.

Seanca u thirr nga ligjvënësit e partive opozitare; LDK, Vetëvendosje dhe Alternativa. Qeveria e Kosovës tha se vetëm gjatë dy muajve të parë janë shpenzuar mbi 1.4 milionë euro, nga 4.8 milionë që ishin ndarë si rezerva shtetërore në kuadër të buxhetit të Kosovës për këtë vit.

Në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm për raste emergjente. Për deputetin e LDK-së, Driton Selmanaj, ndarja e mjeteve financiare është bërë pa asnjë kriter vlerësues.

“Ndarja dhe destinimi i këtyre mjeteve po bëhet pa një planifikim të qartë, pa kritere vlerësuese, pa analiza financiare buxhetore, pa analiza nevojash. Thënë më shkurt, këto vendime kanë vetëm një qëllim: të plotësojnë orekset elektorale të kryeministrit dhe koalicionit PAN”, tha Driton Selmanaj i LDK-së.

Kryeministri Ramush Haradinaj i mbrojti veprimet e bëra, duke thënë se kjo është praktikë e qeverive të mëhershme.

“Sa i përket çështjes së shpenzimeve të paparapara në Kosovë ekziston një praktikë. Në vitin 2016 kanë qenë të ndara shpenzimet e paparapara 8 milionë e 178 mijë e 741 euro, janë shpenzuar 8 milionë e 124 mijë e 976 euro. Më herët u tha që ka qenë vit zgjedhor, por nuk ka pasur zgjedhje. Në vitin 2017, 7 milionë e 40 mijë ishin fondet, janë shpenzuar 6 milionë e 965 mijë. Është një praktikë e vazhdueshme e qeverive paraprake PDK, LDK, tani edhe Qeveria ‘Haradinaj’”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Selmanaj propozoi një rezolutë për ndalimin e ndarjes së parave pa kriter dhe një raporti të detajuar mbi shpenzimet e 11-vjetorit të Pavarësisë, por për votimin e saj nuk u arrit kuorumi i nevojshëm në Parlament.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA