Ligjvënësit britanikë refuzuan në shumicë marrëveshjen e kryeministres Theresa May për “Brexit”-in, për të dytën herë këtë të martë, duke e ekspozuar kështu Britaninë e Madhe përpara një situate të panjohur vetëm 17 ditë përpara shkëputjes së pritshme të saj nga Bashkimi Europian.
Dhoma e Komunëve në Britani votoi me 391 vota kundër dhe vetëm 242 pro, duke refuzuar kështu planin e kryeministres, edhe pse May kishte siguruar garanci të mëtejshme nga Brukseli mbi ato që konsideroheshin si elementët më kontroversë të marrëveshjes.
Vendi rrezikohet tashmë nga një kaos ekonomik, pasi Britania pritet të ndërpresë marrëdhëniet me partnerin e saj më të madh tregtar, BE-në, pas plot 46 vitesh, më 29 mars.
Duke apeluar ndaj deputetëve, me një zë thuajse të ngjirur për shkak të të ftohtit, May i nxiti të shmangnin “kaosin ekonomik” që do të shkaktonte largimi pa marrëveshje i Britanisë nga unioni. Por, ajo paralajmëroi gjithashtu euroskeptikët, shumica e të cilëve bënë fushatë për t’u larguar nga BE-ja gjatë viteve të fundit, se nëse marrëveshja e saj dështonte, atëherë mund të dështonte edhe vet “Brexit”.
May, gjithsesi iu premtoi ligjvënësve se do t’iu lejonte të votonin për opsionin e shkëputjes “pa marrëveshje” ditën e mërkurë, e nëse edhe ky opsion refuzohej, atëherë të enjten do të vendoste nëse do t’i kërkonte BE-së të shtynte procesin e “Brexit”-it.
“Nëse ky votim nuk kalon sot, nëse kjo marrëveshje nuk miratohet, atëherë do të humbasë Brexit”, tha ajo përpara votimit. Megjithatë, euroskeptikët besojnë se marrëveshja ishte aq e keqe, saqë ia vlen të rrezikohet edhe shkëputja pa marrëveshje me BE-në.
“Ne duhet të ndërmarrim atë që duket tashmë si rruga më e vështirë, por që në fund do të rezultojë rruga që garanton respektin tonë për veten”, tha ish-ministri i Jashtëm Boris Johnson, pretendent për të pasuar Mayn nëse ajo dorëhiqet.
Përpara votimit, udhëheqësit anembanë Europës ishin gjithashtu të bashkuar pas mesazhit se, kjo ishte oferta më e mirë dhe e fundit që Britania mund të priste prej unionit.
“Nuk do të ketë një mundësi të tretë”, ishte shprehur shefi i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pas bisedës së tij me Mayn gjatë së hënës. Nëse ligjvënësit britanikë votojnë kundër shkëputjes “pa marrëveshje” të mërkurën dhe do të dëshirojnë shtyrjen e “Brexit”-it, atëherë 27 vendet e tjera të Bashkimit Europian duhet të japin pëlqimin e tyre. Krerët e vendeve të BE-së do të mblidhen në Bruksel për një samit gjatë datave 21-22 mars. Gjithsesi, çdo shtyrje duhet të jetë “jetëshkurtër”, pasi siç paralajmëroi Juncker të hënën, “Brexit duhet të përmbyllet përpara zgjedhjeve europiane” që do të mbahen në fund të majit.
Top Channel