Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale, të shtunën ka arritur në Kosovë për t’u takuar me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në prani të ambasadorit amerikan Philip Kosnett, kanë zhvilluar një takim në rezidencën amerikane në mëngjesin e së shtunës me nënsekretarin David Hale.
Pas takimit, liderët nuk kanë pranuar të flasin para medieve. Sidoqoftë përmes Facebook, presidenti i Kosovës tha se në takim është diskutuar për dialogun me Serbinë dhe se “Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent.
Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun”.Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook tha se ka ritheksuar qëndrimin e Kosovës për rikthimin e dialogut me Serbinë ” ku do të diskutohen të gjitha çështjet përfshirë edhe tregtinë e lirë që të arrihet marrëveshje me njohje në kufijtë ekzistues”.
Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, të premten ka qëndruar në Beograd. Gjatë takimit me kryeministrin Aleksandar Vuçiq, Hale iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndalin provokimet dhe të rivendosin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Nga autoritetet në Prishtinë, ai kërkoi heqjen e tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. “Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë raporte edhe më të fuqishme”, u tha përmes një postimi në Twitter nga ambasada amerikane në Beograd, pas takimit.
Top Channel