Luhen sot ndeshjet e para të fazës së 1/8 të finaleve të Europa League.

Në fushën e lojës do të zbresë Arsenali që do të luajë ndaj Rennes, në fushën e kësaj të fundit. Kjo do të jetë hera e parë që Arsenali dhe skuadra franceze përballen me njëra-tjetrën në kompeticionet e UEFA-s dhe trajneri Emery kërkon përqendrim te skuadra e tij, teksa deklaron se Arsenali duhet të bëjë dy ndeshje të mëdha ndaj Rennes.

Napoli do të luajë me Salzburgun, një skuadër që ka bërë mirë në Europa League në sezonet e fundit. Napoli është praktikisht jashtë çdo pretendimi për titullin në Serinë A, kështu që Europa League mbetet opsioni i vetëm për të fituar trofe këtë sezon.

Sfidë interesante është edhe ajo që do të luhet në Frankfurt, mes Eintracht dhe Inter. Skuadra zikaltër vjen në këtë ndeshje me problemin Icardi, për të cilin duket se ende nuk është gjetur një zgjidhje, ndërkohë që edhe në aspektin e rezultateve zikaltrit janë në një moment delikat.

Në ndeshjet e tjera, Chelsea do të luajë me Dinamon e Kievit, me të cilin “Blutë” janë përballur edhe në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve, duke regjistruar 1 fitore e 1 barazim.

Janë edhe duelet ruso-spanjolle Zenit-Villarreal dhe Valencia-Krasnodar. Sevilla do të përballet me Slavian e Pragës, ndërsa Dinamo Zagreb me Benfica.

Top Channel