Lajmi për dënimin e Kamzës për shkak të ngjarjeve në ndeshjen mes Kamzës dhe Laçit ka qenë një goditje e rëndë për futbollistët dhe klubin.

Në një intervistë për Top Channel, Nuredin Orelesi, një nga lojtarët kontribuues në qetësimin e asaj situate tregon stërvitjen e fundit me Kamzën, kur mësoi edhe dënimin.

“Ishte një lajm shumë i keq, sikur na thanë që dikush ndërroi jetë. Ne po stërviteshim dhe menduam që do të kishte një ndëshkim, plus edhe gjobë, por kur mësuam që do zbrisnim dy kategori më poshtë, ishte diçka shumë e rëndë”, shprehet Nuredin Orelesi, futbollist i Kamzës.

Por a ishte i drejtë arbitri Hamiti në atë ndeshje?
“Kur udhëheq ndeshjen nuk mund të thuash gjë për gjykimin e arbitrit, ne u nevrikosëm për kohën shtesë. Kur ai vërshëlleu për penallti, gjithçka mbaroi, vendimi u dha ska më diskutim. Në futboll duhet të luash me kokë. Unë kujtoj ndeshjen Kukësi-Skënderbeu kur gjyqtari na e bëri shumë keq, por ne e pranuam dhe asgjë nuk ndodhi. Shumë nga ata që shkaktuan dhunën atje janë në kafe tani e po rrinë për qejfin e tyre, por ne futbollistët vuajmë pasojat”, thotë ai.

Keqardhja më e madhe e Orelesit është fakti që skuadra i kishte mundësitë për të mbijetuar kur kishte ende shumë ndeshje për te luajtur. Ndërkohë në bazë të rregullores secili prej lojtarëve të Kamzës mund të zgjidh kontratën në mënyrë të njëanshme, por rregullorja e FSHF nuk lejon që ata të aktivizohen në këtë pjesë të mbetur të kampionatit në futbollin shqiptar.

Top Channel