Sot në mbrëmje luhen dy ndeshje të tjera të 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve.
Në “Parkun e Princave” do të vihen përballë Paris Saint Germain dhe Manchester United. Skuadra kampione e Francës ka avantazhin e fitores 2-0 të arritur në “Old Trafford” përpara 3 javësh dhe duket favorite për të kaluar në çerekfinale. Në krahun tjetër, te “Djajtë e Kuq” trajneri Solskjaer po përballet me mungesa të shumta. Pogba nuk luan në këtë sfidë për shkak pezullimi, ndërkohë që 9 lojtarë të tjerë, mes të cilëve Mata, Martial e Sanchez janë jashtë kësaj sfide për shkak të problemeve fizike.
Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme në Ligën e Kampioneve është ajo që do të luhet në “Do Dragao” mes Portos dhe Romës. Verdhekuqtë kanë fituar sfidën e parë me rezultatin 2-1, por çështja e kualifikimit për në çerekfinale është e hapur pikërisht për shkak të golit në fushë kundërshtare të shënuar nga skuadra portugeze. Roma nuk do të ketë në dispozicion Under dhe Pastore, por rifiton Manolas, i cili i kaloi problemet me stomakun që iu shfaqën përpara derbit me Lazion. Ndërsa te Porto, Conceicao do të ketë në dispozicion Maregën që do të luajë në sulm përkrah Otavios dhe Brahimit. Si Porto ashtu edhe Roma vijnë në këtë ndeshje pas dy humbjeve të rënda të pësuara në kampionatet respektive ndaj Benficas dhe Lazios, kështu që në këtë ndeshje do të kërkojnë të lënë gjithçka pas krahëve.
Top Channel