Ilirjan Celibashi, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), iu përgjigj në emisionin “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja pyetjes se a janë ose jo të ligjshme mandatet e deputetëve të rinj në Parlament.
“KQZ vendos se kush është personi që do të marrë mandatin. KQZ vendos bazuar mbi një njoftim zyrtar të Kuvendit që vërteton se ka një vakancë në Kuvend. Kodi Zgjedhor parashikon që dorëheqja paraqitet publikisht pranë komisionit përkatës të Kuvendit. Dorëheqja duhet paraqitur personalisht me shkrim, pasi është individuale. Nuk ka dorëheqje kolektive. Kodi Zgjedhor përcakton vetëm që dorëheqja duhet paraqitur publikisht në komision. Se çfarë nënkuptohet me “publikisht”, kjo çështje nuk gjen sqarim të plotë në rregullore. Unë mendoj që heqja dorë nga mandati përbën një akt të prezantuar publikisht”, deklaroi Celibashi.
Ish-kreu i KQZ-së shtoi se “në mënyrë absolute nuk është i pavlefshëm akti i dorëheqjes”.
Kur u pyet se çfarë do të ndodhë nëse deputetët që kanë lënë mandatin ndryshojnë mendje, Celibashi tha: “Nëse ndryshimi i qëndrimit bëhet pa kaluar certifikimi nga Kuvendi, ka shanse që të ketë hap pas. Është njësoj sikur deklaratën e dorëheqjes ta dorëzosh paradite dhe pasdite të tërhiqesh. Nuk ka problem nga ana ligjore”.
Top Channel