Opozita sfidoi deputetët e rinj që u ulën krah mazhorancës me kandidatët e listave të cilët publikisht linin mandatin para protestuesve të cilët rrethuan Parlamentin.
Në podium fjalën e mori dhe Kiri Hajdari, vëllai i deputetes Rudina Hajdari, e cila ka refuzuar të firmosë lënien e mandatit.
“Unë jam djali i Azem Hajdarit. Amaneti i Azemi Hajdarit qëndron tek ju dhe të gjithë demokratët: Liri Demokraci! Rama ik, Rama ik”.
Situata u tensionua sapo fjalën e morën liderët e opozitës. Protestuesit hodhën tymuese, flakadanë dhe kapsolla në drejtim të policisë, ndërsa në hyrjen kur dikur futeshin deputetë të opozitës, pati tentativë për t’u futur në Parlament.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi për largimin e kryeministrit Edi Rama drejt Italisë, ndërsa një mesazh e pati edhe për ata që dolën kundër vendimit të partisë: “Tha që do iki të sqaroj italianët për ato që nuk e besojnë më shqiptarët. Por, burime thonë se po ikën në Itali për azil politik”.
Protesta e opoztiës zgjati po aq sa dhe seanca plenare, ndërsa Basha ftoi protestuesit që ta ndiqnin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të dorëzuar bashkë dorëheqjen e kandidatëve të listës pasuese të opozitës.
Kryedemokrati pas KQZ tërhoqi protestuesit në selinë e Partisë Demorkatike, ku shpalli dhe fundin e Ramës: “Sot e kemi çuar një herë e mirë në shtëpi Parlamentin e krimit dhe kemi hapur shtegun e vetëm përmes të cilit do të kalojë e ardhmja e çdo shqiptari. Zgjidhja e vetme politike është largimi i një orë e më parë i kryezullumqarit Edi Rama. Ikja e tij është fundi i pjesës së parë të kësaj beteje e cila do të vazhdojë me bashkimin më të madh të shpresës dhe besimit që shqiptarët kanë njohur këto dekada. Regjimi i Edi Ramës ka marrë fund. I bëj thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në një hap tjetër të hapjes së portave të Evropës, në 16 mars, në protestën vendimtare për ta përcjellë kufomën politike të sektit kriminal të Rilindjes”.
Ndryshe nga protesta e shkuar, Basha nuk ishte zëri kryesor në këndimin e himnit kombëtar.
Top Channel