Pazari historik i Gjirokastrës po zbulon rrënoja të tjera me interes të lartë për rishkrimin e historisë.

Gjetjet e fundit prej gërmimeve për restaurimin e kalldrëmeve kanë nxjerrë në dritë fragmente të një banese mesjetare, fragmente të një stere uji dhe pjesë të kalldrëmit të hershëm krah tyre. Arkeologu dhe studiuesi Neritan Ceka i vlerësoi gjetjet si shumë interesante dhe me vlerë për të hedhur dritë mbi të shkuarën historike të qytetit.

Gjetjet, sipas tij, janë dëshmi e asaj sesi qyteti i ka dhënë zgjidhje në mënyrë të sofistikuar problemit të furnizimit me ujë të pijshëm. Uji ka qenë një problem madhor për Gjirokastrën për shekuj me radhë.

Ndërkaq, sugjerimi për vijimësinë është që një pjesë e gjetjeve të datohen dhe të ekspozohen për vizitorët. Gërmimet po zbulojnë një rrjet të mirëndërtuar kanalizimesh, një kolektor gjigant dhe shumë mjedise të nëndheshme të njësive të pazarit. Studimi pritet të hedhë dritë edhe mbi funksionin e kësaj zone para ndërtimit të pazarit.

Gjetjet deri tani kanë provuar se kjo pjesë e qytetit ka pasur një zhvillim edhe para periudhës 300-vjeçare kur datohet pazari tradicional dhe qendra historike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA