Një pjesë e mirë e koncesioneve në vlera të mëdha monetare dhe në afate të gjata në vendin tonë, u janë dhënë kompanive guaskë, të cilave nuk u dihen aksionerët dhe janë të regjistruara në vende si Holanda.

“Në 11 koncesione të mëdha, më shumë se 50% janë fituar nga kompani guaskë”, u shpreh Arianita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania.

Sipas zonjës Brahaj, nuk ka vullnet të autoriteteve për të kontrolluar integritetin e këtyre kompanive të huaja, të cilat fitojnë shuma të mëdha monetare në vendin tonë. Këto kompani nuk duhen lejuar të mbështeten me fonde publike.

“Ndoshta mund të jenë të rregullta dhe është e drejta e tyre të mos ekspozojnë aksionerët, por të paktën këto nuk duhen lejuar të fitojnë tendera publikë”, tha Brahaj.

Mungesa e kontrollit të detajuar ndaj këtyre kompanive, apo mangësive në legjislacion, sipas Brahajt lidhet edhe me interesa të caktuara të palëve.

“Ka të bëjë me kapjen e shtetit, i cili qeveris për interesa të palëve dhe jo për interesa publike”, shton drejtuesja e Open Data Albania.
Në fakt në vendin tonë ka kompani të cilat nuk kanë ndonjë eksperiencë në sektorë të caktuar, ku edhe janë shpallur fitues të koncesioneve.

Top Channel