Kategoria Superiore do të vijë sot me dy sfidat e fundit të javës së 24-t, teksa në fushë do të zbresin dy skuadrat që luftojnë për mbijetesë, Kamza dhe Kastrioti.

Kështu të besuarit e Gentjan Stojkut do të përballen në orën 14:00 në stadiumin e qytetit të Kamzës, me skuadrën nga Laçi, në një sfidë tejet të rëndësishme përsa u përket pretendimeve të tyre për mbijetesë.

Kamza ndodhet në vendin e fundit, me 9 pikë më pak se Luftëtari, që është aktualisht skuadra e fundit që i shpëton rënies dhe duke qenë se gjirokastritët u mposhtën dje nga Kukësi, kamzalinjtë do të kërkojnë të rikuperojnë distancën.

Nga ana tjetër, edhe Laçi vjen pas një barazimi me Kastriotin dhe do të kërkojë të shfrytëzojë maksimalisht ndalesën e Teutës, për t’u afruar më shumë me zonën europiane të renditjes.

Në orën 17:00 vëmendja do të spostohet në Vlorë, ku Flamurtari i drejtuar nga ilir Daja, do të presë surprizën e gjysmës së dytë të kampionatit, Kastriotin.

Krutanët kanë marrë një sërë rezultatesh pozitive nga janari e në vijim dhe do të kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe në Vlorë, për t’u afruar edhe më shumë me Luftëtarin dhe për të qenë më pranë mbijetesës.

Megjithatë, përtej problemeve të shumta, edhe vlonjatët do të kërkojnë maksimumin nga ky takim, për të qëndruar sa më larg zonës së ftohtë.

Top Channel