Reali Madrid dhe Barcelona kthehen të përballen me njëra-tjetrën në Santiago Bernabeu pas 72 orësh, por këtë radhë sfida do të jetë për La Ligën.

Skuadra katalanase do të kërkojë të vijojë traditën e dekadës së fundit në shtëpinë e Los Blancos dhe të fitojë për t’i dhënë një goditje të fortë kampionatit. ndërsa te Reali do të kërkojnë hakmarrjen për disfatën e pësuar në mesjavë 0-3 në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit.

El Clasico është nga ato ndeshje që merr vëmendjen e mbarë botës. ajo që do të zhvillohet sot në mbrëmje do të jetë sfida e 242 mes Realit të Madridit dhe Barcelonës dhe bilanci flet për një ekuilibër të plotë me nga 95 fitore secila. Nëse katalanasit do të fitojnë sërish ndaj Realit do të mund të parakalojnë madrilenët për sfidat direkte për herë të parë pas 87 vitesh.

Në 2 dekadat e fundit, Barcelona ka fituar shumë terren ndaj Realit përsa u përket ndeshjeve në Santiago Bernabeu. Deri në vitin 2003, katalanasit regjistronin 13 fitore të El Clasicos në shtëpinë e Realit në 74 ndeshje.

Pas 2004 gjërat kanë ndryshuar në mënyrë drastike me 12 fitore të Barcelonës në 24 ndeshje. Dhjetëvjecari i fundit ka shënuar të dhënat shkatërruese për Realin që ka pësuar 10 humbje ndaj katalanasve, rezultati i disa prej ndeshjeve kanë lënë gjurmë në historinë e kësaj supersfide.

Top Channel