Veliaj përgëzon bashkimin e shqiptarëve në Tuz: Tirana, gati të ndihmojë

01/03/2019 13:09

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka pritur në një takim përfaqësues të komunitetit shqiptar në Tuz të Malit të Zi. Tre forcat politike shqiptare kanë vendosur të dalin me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore për Bashkinë e Tuzit.

“Jam shumë i lumtur që prita në Bashkinë e Tiranës, në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, një mik të vjetër me të cilin jemi rritur bashkë, Nik Gjeloshajn, si dhe kolegët që janë bashkuar në një forum shqiptar si Unioni i të gjithë shqiptarëve të Tuzit, për të fituar Komunën e Tuizit dhe për të sjellë aty një transformim, për të cilin ky qytet ka dëshpërimisht nevojë. Mbaj mend se kur kemi qenë aktivistë të shoqërisë civile, kemi kërkuar që Tuzi të ketë statusin e Komunës më vete, për të treguar edhe si model se çfarë mund të bëjnë shqiptarët. Tani, jo vetëm shqiptarët veç e veç, por edhe shqiptarët e bashkuar”, tha Veliaj.

Kryetari Veliaj ofroi mbështetjen e Bashkisë së Tiranës për kandidatin Nik Gjeloshaj, që kandidon për koalicionin “Malësia na bashkon”.

“Ka shumë njerëz që thonë: unë s’mund ta transformoj botën. Dakord, por një votë apo një mendim e transformon një familje, pastaj një familje e transformon një mëhallë, po një mëhallë e transformon një lagje, po një lagje më pas e transformon një qytet. Ndaj, kushdo që mendon se një votë nuk ka rëndësi, sidomos në vende me popullsi modeste, e ka gabim. Çdo votë ka rëndësi. Ndihmoni mikun, miqtë tanë të këtij koalicioni të fuqishëm të forumit shqiptar dhe Bashkia e Tiranës do të jetë e para në gatishmëri, edhe për të ndarë njohuri, edhe për të ndarë eksperienca pune, edhe shembuj të mirë që ia vlen t’i imitosh e t’i përkthesh në realitetin lokal të Tuzit”, tha më tej Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA