U braktis nga Cardiff City? Bisedat në “whatsapp” zbulojnë të vërtetën për Salën

01/03/2019 11:37

Këtë fundjavë, një intervistë e agjentit të ish-futbollistit Emiliano Sala ka ngjallur shumë diskutime, pasi ka pasuruar edhe më shumë tragjedinë që i kushtoi jetën sulmuesit argjentinas, e që hodhi disi “benzinë” në zjarrin e polemikave që pasuan vdekjen e tij.

Përfaqësuesi i ish-lojtarit kishte kritikuar Cardiff Cityn për neglizhencën në transferimin e futbollistit të sapoblerë.

“Blenë një sulmues për 17 milionë paund dhe e braktisën në hotel, duke e detyruar të gjente vet fluturimin”, tha Willi McKay, por fjalët e tij u përgënjeshtruan shpejt.

Agjenti që organizoi transferimin me avionin “Piper”, që u zhduk në ujërat e ftohta në kanalin e La Manshit, pretendon kështu, por faktet tregojnë të kundërtën.

Një seri mesazhesh në rrjetin social “Whatssapp” mes futbollistit Emiliano Sala dhe oficerit të komunikimit të Cardiff Cityt nuk mbështesin fjalët e agjentit.

Emiliano Sala nuk u braktis nga klubi uellsian, siç pretendohet, por kishte refuzuar ofertën për një fluturim normal, duke preferuar avionin e vogël privat, në atë që rezultoi fluturimi i fundit në jetën e sulmuesit.

Çështja ndërkohë mbetet e hapur dhe një hetim final do të publikohet brenda vitit për vdekjen e lojtarit. Ndërkohë, mbetet në dyert e Disiplinës së FIFA-s çështja mes Nantes dhe Cardiff Cityt, e para që pretendon pagesën për kartonin e lojtarit, dhe i dyti që nuk pranon ta bëjë atë.

Top Channel