Një delegacion i Parlamentit Europian, i kryesuar nga raportuesi për Serbinë, David McAlister, është takuar me përfaqësues të listës serbe me në fokus atë që është kthyer tashmë në kryefjalën e ditës: taksën 100% të vendosur produkteve që hyjnë në Kosovë nga Serbia.
Delegacioni përcolli të njëjtin qëndrim që Brukseli e ka bërë të qartë tashmë: Taksa, thanë pjesëtarët e tij duhet të hiqet dhe dialogu Prishtinë-Beograd për arritjen e një zgjidhjeje kompromisi duhet të vazhdoje në mënyrë që në Ballkan të vendoset përfundimisht paqja.
Lajmi i përcjell nga mediat kosovare mbështetet tek deklarata e publikuar prej listës serbe pas takimit, ku kjo e fundit ka përmendur problemet me të cilat ndeshet sipas saj populli serb në Kosovë, por edhe qëndrimin sipas të cilit pjesëmarrja në institucione “ishte e pakuptimtë pas veprimeve të njëanshme të Prishtinës”.
Ajo citon pikërisht këtë si shkakun e takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç ku u propozua braktisja e institucioneve të Kosovës. Në delegacionin e Parlamentit Europian, përveç McAlisterit ishin edhe dhe Elmar Brok nga Gjermania dhe Igor Soltes nga Sllovenia, i cili tre muaj me pare deklaronte se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe se i takon bllokut tani, të bëjë atë që ka premtuar.
Top Channel