Shtetet e Bashkuara vazhdojnë presionin mbi qeverinë e Kosovës për të hequr taksën 100 për qind mbi mallrat serbe.

Së fundmi, dy zyrtarë të lartë amerikanë, zëvendësdrejtori për Europën i Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) John Erath, dhe drejtori i NSC-së për Çështje Europiane, Brad Berkley, kanë takuar për dy ditë me radhë udhëheqësit kosovarë dhe kanë paralajmëruar masa të reja, nëse nuk pezullohen tarifat për t’i hapur rrugë bisedimeve.

Në kuadër të masave të mundshme, ata kanë përmendur edhe mundësinë e largimit të rreth 650 trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të NATO-s, ndërsa prania e tyre shihet si thelbësore për sigurinë e Kosovës.

Po ashtu, zyrtarët amerikanë kanë theksuar se nuk ka ndonjë dokument të shkruar të ndonjë marrëveshjeje, e cila duhet të hartohet nga palët dhe duhet të çojë në njohje të ndërsjellë.

Ambasada amerikane në Prishtinë nuk ka dhënë hollësi, por tha një ditë më parë se të dy zyrtarët u kanë thënë udhëheqësve të institucioneve të Kosovës se tarifat ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina duhet të pezullohen, pasi pengojnë përparimin dhe dëmtojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Më herët, dy zyrtarët kanë qëndruar edhe në Beograd. Sipas SHBA-ve, dialogu duhet kthyer në shina dhe të dyja palët duhet të ndërpresin veprimet provokuese dhe të ndërmarrin hapa konstruktivë për t’u kthyer në tryezën e negociatave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA