Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra zyrtarizon kandidaturën e tij për kreun e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Futjen në këtë garë, ai e quan një detyrim historik për t’iu shërbyer myslimanëve.
“Për të rikthyer në vend figurën e shumëvuajtur dhe të pavlerësuar të atyre që janë në vijën e parë të këtij shërbimi për fenë dhe atdhenë, hoxhallarët në çdo cep të Shqipërisë, për të vijuar fuqishëm dhe pa asnjë lëkundje bashkëjetesën tonë si vlerë dhe virtyt të shqiptarëve dhe jo vetëm të myslimanëve. Për ta vënë këtë mbi baza edhe më të fuqishme dhe për ta shfaqur në çdo moment, në çdo vend, si virtytin e parë të shqiptarëve”, tha Ylli Gura.
Myftiu Gurra shpjegon disa prej pikave të platformës së tij, nëse më 2 mars do të zgjidhet në krye të KMSH-së.
“Gjithëpërfshirja e çdo myslimani dhe myslimaneje të këtij vendi në mirëmenaxhimin e të gjitha shërbimeve fetare dhe jo vetëm, në këtë vend. Unifikimin e të gjithë zërave të myslimanëve. Ngritjen e figurës së shërbëtorëve fetarë. Mirëmenaxhimin me transparencë të plotë dhe të hapur të pronësive, të cilat kanë qenë gangrena së pari mes vet myslimanëve”, tha më tej Gurra.
Ylli Gurra dha këtë koment për drejtimin 5-vjeçar të KMSH-së nga Skënder Bruçaj.
“Zoti Bruçaj, në këto 5 vite ka treguar përpjekje, ka dashur apo ka synuar që të ketë një lloj kontributi, aq sa është e mundur, aq sa ka pasur mundësi dhe aq sa e kanë lejuar rrethanat. Ajo që vlen për mua dhe për cilindo besimtar, gjykimi mbetet përtej nesh, rëndësi ka që të shohim përpara dhe të unifikohemi në një realitet të ri të Komunitetit, brenda vetes në Shqipëri, por duke parë edhe dinamikën e zhvillimeve të rajonit dhe ato për shqiptarët”, theksoi myftiu i Tiranës, kandidat për kreun e KMSH-së.
Në këtë intervistë për Top Channel, myftiu Gurra thekson nevojën e pranisë së medies gjatë ditës së votimit për kreun e KMSH-së.
Myftiu Gurra ka ndjekur studimet fetare në Stamboll dhe ato pasuniversitare në Universitetin e Oxfordit, në Britaninë e Madhe. Më herët, ai ka mbajtur detyrën e myftiut të Librazhdit dhe atë të kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman.
Top Channel