Të shumta janë qendrat historike e arkeologjike në rrethinën e kryeqytetit, por mungesa e informacionit të nevojshëm e sidomos mungesa e infrastrukturës, ka bërë që ato të njihen e vizitohen shumë pak.

Në afërsi të fshatit Bovillë të Tiranës, rreth 15 km, ndodhen disa shenja të pikturuara në shkëmb që i përkasin periudhës së neolitit, të bëra aty rreth 2000–3000 para Krishtit. Pavarësisht se ato shenja ekzistojnë në hartat e arkeologjisë shqiptare, asnjëherë nuk janë shpallur Monument Kulture dhe sot ato rrezikojnë të zhduken nga guroret që po punojnë në afërsi të tyre.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka dijeni për këto vizatime prehistorike, por përderisa nuk gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës, atëherë nuk mund të mbrohen nga ky institut. Fajin ia hedhin Institutit të Arkeologjisë i cili duhet të kërkojë të shpallen monumente në bazë të vlerësimeve që ky i fundit bën. Por kjo nuk mbështetet nga Instituti i Arkeologjisë , ku drejtori i tij Prof. Dr.Luan Përzhita shprehet për Fiks Fare se bazë kryesore për t’u shpallur monument janë institucione pjesë të Ministrisë së Kulturës. “Ne mund të reagojmë si institut kërkimor shkencor të cilët japim një propozim, por për monumentet e kulturës është Instituti i Monumenteve” shprehet ai. Në këtë mënyrë të dyja këto institucione ia hedhin fajin njëri tjetrit, ndërkohë që në Bovillë guroret punojnë intensivisht dhe nuk dihet edhe për sa kohë këto shkrime prehistorike do munden të mbijetojnë.

I vetmi që është marrë me studimin e këtyre vizatimeve, studim i cili ndodhet edhe në Institutin e Monumenteve, është akademiku prof. Muzafer Korkuti, arkeolog. Gazetarët e Fiksit zhvilluan një intervistë me të për të kuptuar edhe më tepër rëndësinë e vizatimeve. ” Kanë një vlerë të jashtëzakonshme sepse në faqen e shkëmbit në një sipërfaqe 30- 40 metra në lartësinë 2-3 metra, varet nga pozicioni, banorët e kësaj zone të kohës së neolitit ose të epokës së bronxit afërsisht 2000- 3000 vjet para Krishtit kanë fiksuar në faqen e shkëmbit me bojëra që ruhen deri më sot kanë fiksuar mentalitetin, botëkuptimin e tyre, ritet e tyre” shprehet akademiku. ai shprehet se në vendin tonë nuk është vetëm Bovilla edhe vende të tjera si pikturat e Trenit në Korçë, Lepenica në Vlorë, Reçi dhe në Kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë po ashtu.

“Të gjitha këto përbëjnë një grup që bashkë me ato të Malit të Zi, që ka qenë në trevën e Ilirisë, përbëjnë një trevë të hershme e banorëve të zonës” përfundon prof. Kornuti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA