Manchester City pasurohet edhe më shumë falë kontratës së sponsorizimit me kompaninë e veshjeve sportive “Puma”.

Kjo e fundit do të sponsorizojë edhe skuadrat e tjera të grupit sipërmarrës të drejtuar nga sheiku Mansour, “City Football Group”, si Melbourne City FC në Australi, Girona FC në Spanjë, Club Atlético Torque në Uruguaj dhe Sichuan Jiuniu FC në Kinë.

Klubi kampion i Anglisë zyrtarizoi përmes një komunikate për shtyp nënshkrimin e kontratës 10-vjeçare me “Pumën”, që do të jetë sponsori teknik i “Citizens” duke nisur nga korriku i vitit 2019, për të zëvendësuar kompaninë amerikane “Nike”.

Nga kontrata me “Pumën”, Manchester City do të përfitojë 750 milionë euro në total, ose 75 milionë euro në vit, shifra këto që mund të përfshijnë edhe bonuse të ndyshme, diçka që ndodh shpesh në raste të tilla.

Me kontratën e mëparshme me “Nike”, kampionët e Anglisë përfitonin 24 milionë euro në vit, që do të thotë se është një përmirësim i ndjeshëm i të ardhurave nga marketingu për Manchester Cityn, që për më tepër ka edhe Aguero, Kompany e David Silva në kontratë me “Pumën”.

Me kontratën e firmosur me “Pumën”, Manchester City bëhet skuadra e tretë që përfiton më shumë nga sponsorët teknikë. Në këtë pikë, rekordin e mban Barcelona që përfiton 116 milionë euro në vit nga “Nike”, e ndjekur nga Manchester United me 88 milionë euro të siguruara nga kontrata me “Adidas”.

Top Channel