Deputetët e opozitës nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia thonë se nuk do të kthehen në parlamentet e vendeve të tyre dhe do të vijojnë protestat e bojkotet kundër abuzimeve të supozuara të sistemeve të tyre politike, pavarësisht një apeli nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç.

“Koçijançiç do të bënte të njëjtën gjë nëse do të ishte në vendin tonë”, thotë për BIRN një deputete e opozitës serbe, Marinika Tepiç.

Aleanca për Serbinë, në opozitë, vendosi këtë muaj të bojkotojë Parlamentin dhe Asambletë në nivelet e tjera të qeverisjes, në të gjithë vendin.

Ndërsa në Shqipëri, deputetët e opozitës vendosën të djegin mandatet dhe Izmira Ulqinaku, nga Partia Demokratike fajëson BE-në se nuk ka denoncuar korrupsionin dhe krimin në vend.

Edhe në Malin e Zi, pjesa më e madhe e deputetëve opozitarë po bojkotojnë Parlamentin pas zgjedhjeve të përgjithshme të tetorit të vitit 2016, duke denoncuar manipulimin e votës dhe duke kërkuar zgjedhje të reja.

Në anën tjetër janë edhe serbët e Kosovës, që po planifikojnë braktisjen e të gjitha institucioneve të Prishtinës zyrtare në të cilat punojnë, e po kërkojnë mbështetjen e Beogradit zyrtar, pavarësisht se vet presidenti Vuçiç u ka kërkuar edhe pak durim.

E gjithë kjo panoramë ka bërë që disa analistë të fillojnë të përdorin një term të ri, atë të “Pranverës ballkanike”, duke iu referuar pranverës së dikurshme arabe që trazoi të gjithë Lindjen e Mesme. Por, Koçijançiç, në një konferencë për shtyp në Bruksel tha se, protestat dhe bojkoti në Tiranë, Podgoricë dhe Beograd kanë karakteristikat e veta dhe se në këndvështrimin e saj nuk mund të bëhen krahasime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA