Lulzim Basha iu përgjigj nga Shkodra eurodeputetëve të cilët kritikuan ashpër vendimin e opozitës për të djegur mandatet.

“Kjo sakrificë është e domosdoshme për të çliruar rrugën drejt Europës. Rrugën drejt Europës e pengon ortakllëku me krimin dhe qeveria e lidhur me krimin. Detyra jonë është që me durim të shpalosim të vërtetën që është helmuar nga propaganda e Ramës. Nuk shkohet në Europë me hilera dhe gënjeshtra”, deklaroi Basha.

Kryedemokrati nuk ndau të njëjtin qëndrim me delegacionin e Parlamentit Europian, as sa i takon legjitimitetit te Parlamentit: “S’ka Parlament Shqipëria sot. Ka një bandë ku një në tre deputetë është në bashkëpunim me krimin”.

Ndërkombëtarëve të cilët i kërkojnë rikthimin në Parlament, Basha u bëri të qartë se opozita nuk heq dorë nga kërkesat për qeveri tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër që do të përgatisë zgjedhjet: “Mos kërkoni asgjë që nuk do të pranonit për popullin tuaj”.

Për eurodeputetin Fleckeinstein, i cili nuk e fshehu zhgënjimin për Monika Kryemadhin duke i kujtuar se është edhe zonjë e parë e vendit, reagoi ashpër LSI-ja. Vetë zonja Kryemadhi i tregoi eurodeputetit se Shqipëria është e shqiptarëve dhe jo e të huajve, ndërsa akuzat më të forta për të huajt u artikuluan nga Petrit Vasili.

“Shqipëria si gjithë Europa dhe Shqipëria anëtare e BE-së, do të thotë të ketë standarde të BE-së dhe zgjedhje që bëhen në Gjermani, të kenë edhe në Shqipëri. Për këtë opozita është në rrugë, për këtë opozita nuk do të lëvizë nga rruga dhe do të vazhdojë të ketë një shami në dorë për të fshirë sytë e turbulluar të të gjithë eurodeputetëve, të cilët i shohim që kanë pamundësi për të parë qartë për shkak të disa parave që janë të gjithfarshme, por janë para të pista”, deklaroi Vasili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA