Edhe pse me objektiva të ndryshme këtë sezon në kategorinë Superiore dhe me hendekun prej 11 pikësh në renditje, Tirana dhe Partizani premtojnë një betejë elektrizuese në derbin e kryeqytetit këtë të premte.

Bardheblutë që i janë larguar disi luftës për mbijetesën, e shohin derbin si një shpagim për tifozët që kanë kohë pa festuar, ndërsa Demat e kuq përballen me një mundësi që të shtojnë një tjetër gur në murin e titullit të nisur në startin e kampionatit.

Në kampin e trajnerit Ardian Mema, duket se të gjithë do të jenë në dispozicion për mbrëmjen e së premtes pavarësisht problemeve të vogla fizike. Porta e mbrojtur nga Habibi dhe prapavija duket se do të jenë ato që nuk do të ndryshojnë ndërsa shtatlarti Kobinah do të jetë i vetëm në repartin ofensiv.

Në kampin e Partizanit, Lorenc Trashi i pezulluar me shumë gjasa mund të zëvendësohet nga Kalari ndërsa Mensah që në përballjen e fundit u aktivizua si zëvendësues, këtë herë mund ta nisë titullar. Ndërkohë kompania që menaxhon biletat ka shitur 1500 të tilla vetëm në orët e para, një numër që tregon interesin e madh të tifozëve.

Të premten në stadiumin Selman Stërmasi me shumë gjasa nuk do të jetë asnjë vend i lirë, pasi edhe 20% e impiantit të rezervuar për Partizanin, është praktikisht i shitur.

Top Channel