Chelsea triumfoi me rezultatin 2-0 në derbin e Londrës përballë Tottenhamit, një rezultat ky që sjell konfirmimin të paktën përkohësisht të trajnerit italian Maurizio Sarri.

Në sfidën e zhvilluar në “Stamford Bridge” nuk u pa Chelsea i zakonshëm që dominon kontrollin e topit, por një skuadër shumë më cinike, që zbriste shpejt me kundërsulm, duke rrezikuar kuadratin e Lloris.

Megjithatë pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 57’, me golin e shënuar nga Pedro, pas një asisti nga Azpiliqueta, ndërsa autogoli i Trippier në minutën e 85-të, vulosi edhe triumfin e “bluve”.

Fitore të thellë 5-0 mori Liverpooli në sfidën e zhvilluar në “Anfield Road, përballë Watfordit, në një sfidë ku shënuan dy herë Mane, dy herë Van Dijk dhe një herë Divock Origi.

Edhe Arsenali shkatërroi me goleadë 5-1 skuadrën e Bournemouthit, në një sfidë ku shënuan plot 5 futbollistë të ndryshëm, si Ozil, Koscielny, Aubameyang, Laccazette dhe Mkhitaryan.

Fitore minimale 1-0 mori edhe Manchester City në shtëpi përballë West Hamit, në një sfidë që u vendos nga një gol i shënuar nga Sergio Aguero me 11-metërsh në pjesën e dytë. Ky 3-pikërsh i mjaftoi skuadrës së Guardiolës që të mbajë ritmin e Liverpoolit në renditje, duke u pozicionuar vetëm një pik pas “The reds”.

Ole Gunnar Solskjaer vijon me ecurinë fantastike në stolin e Manchester Unitedit, që pas barazimit pa gola me Liverpoolin, fitoi me rezultatin 1-3 në transfertën ndaj Crystal Palace.

Romelu Lukaku e nisi si titullar këtë sfidë dhe shënoi dopietë sot, ndërsa Ashley Young vulosi fitoren për “Djajtë e kuq”, që nuk kanë humbur asnjë takim në kampionatin anglez, që kur në stol u ul tekniku norvegjez.

Top Channel