Boston dorëzohet përballë Torontos në ndeshjen e radhës në NBA të zhvilluar në Air Canada Center me skuadrën e Raptors që e mbylli këtë sfidë 118-95. Diferenca në parket u bë që në periodën e dytë të saj kur Toronto me në krye Leonard regjistroi rezultatin e pjesshëm 36-13, duke e vendosur praktikisht në kasafortë fitoren.

Celtics e kishte thuajse të pamundur të shënonte në koshin e Torontos, falë mbrojtjes së Raptors. Këtë e tregon fare mire që ylli i Bostonit Kyrie Irving e mbylli ndeshjen me vetëm 7 pikë personale, ndërkohë që shënuesi më i mirë ishte Morris me 17 pikë. ndërsa te Toronto, Leonard shënoi 21 pikë në 26 minuta lojë, ndërsa Siakam e mbylli sfidën me 25 pikë.

Denver Nuggets i falet sërish Nikola Jokic, që në këtë moment të sezonit po bënë paraqitjet e një lojtari MVP. Skuadra nga Colorado mundi në sfidën e radhës Oklahomën në Pepsi Center 121-112 ku Jokic shkëlqeu teksa e mbylli sfidën me 36 pikë, 10 topa në tabelë e 9 assist.

Skuadra e Thunder e pati momentin e saj gjatë kësaj sfide kur me rezultatin e pjesshëm 22-6 arriti të marrë për pak kohë kryesimin me 5 pikë diferencë ndaj Nuggets, por kjo e fundit reagoi në castet e fundit duke fituar përfundimisht këtë sfidë. Ky sukses ka shumë vlera për Denver që konsolidon vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit që i jep avantazhin e faktorit fushë në sfidat e playoffit.

New York duket se po fillon të mësohet me sukseset. Pas 18 humbjeve radhazi në Madison Square Garden, skuadra e Knicks ka regjistruar fitoren e dytë radhazi. Këtë radhë ajo erdhi në përballjen me Orlandon 108-103.

Skuadra e Magic e nisi më mirë sfidën teksa mori një avantazh të konsiderueshëm që në 12 minutat e para të sfidës duke bërë që tifozët të shfaqin bindjen për disfatën e radhës së skuadrës së tyre. Por këtë radhë New York diti të reagojë dhe ata që e shpëtuan skuadrën ishin basketbollistët e stolit që shënuan 75 nga 108 pikët e skuadrës njujorkeze.

Top Channel