Hapen zyrat e reja për aplikimet për karta identiteti, Veliaj: Standarde evropiane për shërbimin ndaj qytetarëve

27/02/2019 12:34

Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe kompaninë ALEAT, kanë hapur zyrat e reja për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit në Njësitë 8 dhe 9.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe Drejtori Ekzekutiv i Aleat, Jean Alain Jouan, inspektuan mjediset e zyrave në fillim të rrugës së “Barrikadave”, tek zona e 9-katësheve.

“Sot, në fillim të rrugës së “Barrikadave”, hapim këtë zyrë në katin e parë, në mënyrë që qytetarët të mos lodhen për t’i ngjitur deri në katin e tretë, sidomos për njerëzit me aftësi të kufizuar, ose nëna me fëmijë. Në katin e parë, në një sipërfaqe të sheshtë, kemi bashkuar dy njësi bashkë, 8 dhe 9, në një nga rrugët kryesore të Tiranës, shumë afër Unazës së vogël”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë Aleat, është arritur të përballohet fluksi i qytetarëve që aplikojnë për letërnjoftime të reja. “Bashkimi bën fuqinë. Ky bashkim midis Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Brendshme, drejtorisë së Gjendjes Civile dhe Aleat-it për t’i sjellë kushtet në standardet europiane që presim për të gjitha shërbimet në Tiranë, ishte një bashkim që realisht na solli fuqi në përballimin e fluksit për menaxhimin e kartave dhe pasaportave të reja”, deklaroi ai, teksa u bëri thirrje qytetarëve që t’i drejtohen zyrave të reja për të aplikuar në kohë për letërnjoftimet elektronike.

“Vërtet nuk e kemi ngutin e datës 30 qershor për zgjedhjet apo çështje të përdorimit të kartës brenda vendit sepse e kemi shtyrë vlefshmërinë deri në fund të vitit 2019, ama duhet të kemi parasysh diçka tjetër: Në datën 30 qershor fillon gjithashtu rinovimi i pashaportave të reja, të cilat u dhanë 10 vite më parë. Pra, duam, s’duam ne, do të ketë prapë një fluks tjetër në verë, ndaj tani që i kemi këto kushte të mira dhe tani që njësitë janë çiftuar dyshe-dyshe, duke pasur ambientet dhe poste pune shumë më të mëdha dhe efiçiente, në 4-5 minuta, nuk i kushton askujt asgjë që punën e sotme të mos e lërë për nesër’, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA