Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave në Bashkinë Selenicë lidh tre kontrata qiraje me tre fermer për të njëjtën kullotë. Të tre fermerët kanë qenë të rregullt me detyrimet e tyre karshi bashkisë, por këto kullotat i kanë futur në sherr me njëri tjetrin, pasi paguajnë që të tre për një sipërfaqe të njëjtë, ku secili prej tyre e ka në kontratë
Në Fiks Fare u ankua 2 fermerë ku të cilët në vitin 2016 kishin lidhur kontratë tre vjeçare me Drejtorinë Pyjorë në Bashkinë Selenicë për kullotat. Por në nëntor të 2018 ata marrin një shkresë po nga kjo drejtori, ku fermerit Vasil Veshaj i zbriten 12 hektar nga 50 hektarët për të cilët kishte kontratën, dhe Adhurim Bocajt 5 hektar nga 12 që kishte kontratën.
Ata shprehen për Fiks Fare se kanë qenë të rregullt me pagesat madje tregojnë edhe faturat për pagesat që kanë bërë në tre vite për kullotat.
Ata ngrenë zërin se me këtë që po u bëhet nga ana e bashkisë do u ngordhin bagëtia, të cilën e kanë burimin kryesor dhe të vetëm të ardhurash.
“Kjo gjë po na çon në konflikt midis njëri tjetrit , pasi edhe personi më të cilin jam konfliktuar ka kontratë për 12 hektarë që përfshihen në sipërfaqen time. Ne duam të na jepet e drejta dhe të respektohet kontratat që kemi lidhur ”- shprehet njëri prej fermerëve. Konflikti që ka lindur midis 2 fermerëve ka përfunduar edhe në polici, pasi të dy gëzojnë kontratë për të njëjtën kullotë.
Gazetarët e Fiks Fare iu drejtuan Drejtorisë Pyjorë Selenicë për të kuptuar se si janë lidhur 3 kontrata për të njëjtën kullotë në të njëjtën kohë. Ata takojnë drejtorin e kësaj drejtorie Guri Leskaj i cili pranon se të dy fermerët kanë kontratë për kullotat dhe kanë qenë shumë të rregullt me pagesat. Por i vënë përball shkresës të cilën ai vetë e kishte firmosur dhe vulosur ku këtyre fermerëve u hiqeshin disa hektarë kullotë për të cilën kishin paguar rregullisht, ai e justifikon me faktin se dokumenti është thjesht një lapsus.
Për të dyja shkresat ai fajëson inspektorët pyjorë dhe angazhohet se do jenë këta të fundit të cilët do të mbajnë përgjegjësi për problemin e krijuar.
Megjithatë falë Fiks Fare Vasil Bocaj, nuk do i preken 50 hektarët e tij, pasi drejtori Leskaj e pranoi publikisht se dokumentet ishin gabim, ndërkohë edhe Adhurim Bocaj mori një shpjegim pasi inspektorët që e kanë bërë do të viheshin para përgjegjësisë.
Top Channel