Mosbindja ndaj Sarrit, Kepa “dhuron” për bamirësi pagën javore

26/02/2019 13:04

Kepa do të japë pagën javore të tij për bamirësi. Ky është dënimi i dhënë nga drejtuesit e Chelseat për portierin spanjoll, pikërisht për mosbindjen e tij ndaj trajnerit Sarri në finalen e Kupës së Ligës, të luajtur ndaj Manchester Cityt, të cilën e humbi pas ekzekutimit të 11-metërshave.

“Blutë” e Londrës e gjobitën me 220 mijë euro portierin Kepa Arrizabagal, shifër kjo që do të kalojë për llogari të fondacionit të klubit londinez.

“Bëra një gabim të madh në mënyrën sesi administrova situatën”, tha në një komunikatë Kepa, për të cilin Chelsea pagoi 80 milionë euro. “Do të marr mësime nga ky episod dhe do të pranoj çdo lloj dënimi apo sanksioni”, shtoi më tej ai.

Në lidhje me këtë ngjarje foli edhe trajneri Sarri, pozitat e të cilit në pankinën e Chelseat janë të tronditura ndjeshëm, ndërkohë që sfida e radhës është derbi londinez me Tottenhamin, testi i radhës që mund të përcaktojë edhe të ardhmen e tij si trajner i Chelseat.

Top Channel