Brenda mazhorancës janë të ndarë nëse koncesionet e pakërkuara në infrastrukturë duhet të ndalohen pa afat, apo jo.

Një ditë më parë, Ilir Beqaj, në cilësinë e deputetit kërkoi që mosdhënia e koncesioneve të pakërkuara në ndërtimin e rrugëve të mos jetë pa afat, por që ligji të merrte formën e një moratoriumi që ndalonte PPP-të në infrastrukturë deri në dhjetor të vitit 2021.

Madje, propozimi i Ilir Beqajt u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese. Ndërkohë, Komisioni i Ekonomisë, që është përgjegjës për këtë ligj, e rrëzoi një gjë të tillë, duke i qëndruar variantit të qeverisë.

“Ta mbështesim kërkesën që ka sjellë Këshilli i Ministrave. Këtu në këtë ligj, komisionet e tjera kanë kërkuar shtyrjen ose moratorium, ndërsa unë u kërkoj të gjithë anëtarëve të këtij komisioni që ta mbështesim politikisht qëndrimin e Këshillit të Ministrave”, tha Arben Ahmetaj.

Tani do të jetë seanca plenare që do të vendosë përfundimisht. Në fakt, miratimi i këtij ligji vjen pas debateve të shumta që nisën pas kontraktimeve që bëri qeveria për ndërtimin e disa akseve rrugore, me koncesione të pakërkuara dhe me formulën ku investimi kryhej nga privati dhe paratë paguheshin në formë boxhi nga shteti.

Kostot e larta të ndërtimit dhe mënyra e dhënies së koncesioneve vunë në lëvizje edhe FMN-në, e cila kërkoi standarde të forta për kontratat. Sipas propozimit të qeveirisë, nga korriku i këtij viti koncesionet me oferta të pakërkuara në ndërtimin e rrugëve nuk do të pranohen, ndërkohë formula nuk preket për investimet në energji, porte, turizëm, apo sektorë të tjerë strategjikë.

Top Channel