Komisioni i Disiplinës, i mbledhur këtë të martë për vendimmarrje mbi ndeshjet e javës së fundit të Kategorisë Superiore, e jo vetëm, por kryesisht për ngjarjet dhe dhunën e shfaqur në “Selman Stërmasi” gjatë takimit Partizani-Flamurtari, ka marrë vendime të ashpra, por jo aq sa për të ndikuar në spektaklin e kësaj të premteje, kur do të luhet derbi i shumëpritur i kryeqytetit, Tirana-Partizani.

Pikërisht “të kuqtë” e kryeqytetit janë dënuar me dy ndeshje pa tifozë në stadiumin përkatës, pra që do të thotë se mbështetësit do t’i mungojnë kur të jetë pritës i kundërshtarëve, por jo si udhëtues ndaj “bardhebluve”.

Dënimi, që shoqërohet edhe me një gjobë prej 200 mijë lekësh, ka ardhur si pasojë e dështimit në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjes kundër vlonjatëve, duke mos garantuar sigurinë e një zyrtari të ekipit kundërshtar, siç ishte rasti i fotoreporterit të klubit.

Mes vendimeve të tjera spikat edhe dënimi i Tiranës me 400 mijë lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve, rast përsëritës ky; ndërsa Skënderbeu për po të njëjtën shkelje por jo në mënyrë të përsëritur është dënuar me 100 mijë lekë gjobë.

Derbi i Tiranës do të zhvillohet të premten në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, e vetmja vatër futbolli në kryeqytet në pritje të rikonstruksionit të ish-stadiumit “Qemal Stafa”, tashmë i njohur si “Arena Kombëtare”.

Top Channel