Në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama porositi njerëzit e tij që pavarësisht largimit të opozitës nga Parlamenti, të vijojë puna normalisht me të gjithë axhendën përgatitore të PS-së përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme vendore të 30 qershorit, por edhe me jetën parlamentare në seancë plenare.
“Puna vijon normalisht. Kemi për të votuar dy vendime të rëndësishme që lidhen me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), të cilat do të miratohen nga Kuvendi”, tha Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Në mbledhjen që zgjati rreth një orë, është diskutuar edhe për kongresin e thirrur nga socialistët për më 23 mars, kur pritet të shpallen edhe kandidatët e kësaj force politike për 61 bashkitë e vendit.
Të enjten, opozita ka lajmëruar se do të mbahet protesta e radhës me synim bllokimin e Kuvendit nga i cili opozita u largua. Protesta pritet të mbahet njëkohësisht me seancën e Kuvendit.
Top Channel