Sfida Partizani-Flamurtari po vijon edhe jashtë fushe, përmes komunikatave të dy klubeve për shkak të incidentit të ndodhur në sfidën e së shtunës, në “Selman Stërmasi”, kur disa tifozë të Partizanit sulmuan fotoreporterin e klubit vlonjat, në momentin që po fotografonte festimin e golit të Ribajt, një foto e cila është publikuar edhe në profilin e kuqezinjve në rrjetet sociale.

Drejtuesit e Flamurtarit thyen heshtjen në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar, teksa iu përgjigjën deklaratës së një dite më parë të Partizanit. Në reagimin e tij, Flamurtari falënderoi klubin kryeqytetas për distancimin nga dhuna, por shtoi se për të është e papranueshme që ngjarja kaloi në plan të dytë, me Partizanin që e vuri theksin pikërisht te fotografi, që sipas tij bëri provokime.

Në këtë pikë, Flamurtari thekson se ky pretendim i “të kuqve” nuk qëndron, pasi fotografi, që është zyrtar i klubit, nuk ka bërë asnjë provokim, duke qenë se në atë pjesë të stadiumit ku u festua goli i Ribajt nuk kishte tifozë.

Flamurtari theksoi se, sipas rregullores, ishte Partizani përgjegjës për mbarëvajtjen e ndeshjes, si skuadra mikpritëse, dhe nuk mund të justifikohet me mungesën e forcave të sigurisë. Në fund, Flamurtari bëri thirrje që çdokush të marrë përgjegjesitë e tij dhe se FSHF-ja duhet të zbatojë rregulloren siç ndodh në çdo kampionat tjetër, në mënyrë që ngjarje si ajo e së shtunës të mos përsëriten më.

Top Channel