Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur italian “Il Fatto Quotidiano”, ku natyrisht që në qendër të vëmendjes ka qenë situata aktuale politike në vendin tonë.

Në bisedën me gazetarin Giancarlo Padovan, Rama ka theksuar se në Shqipëri nuk ka aspak kaos dhe revoltë popullore, por thjesht një protestë të opozitës, e njëjta që populli e largoi me votë disa vite më parë.

Rama u është përgjigjur pyetjeve të gazetarit mbi kryebashkiakë dhe ish ministra të PS-së nën hetim, ndërsa ka folur edhe për çështjen e emigrimit të shumë shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian.

Çfarë po ndodh në Shqipëri?
Nuk ka asnjë kaos dhe nuk ka asnjë revoltë popullore. Nuk kanë dalë në shesh as jelekverdhët, as sindikatat, as studentët dhe as anarkistët, por opozita parlamentare, që disa vite më parë u dërgua në shtëpi nga populli, pasi shkatërroi ekonominë dhe mbyti vendin në kënetën e korrupsionit dhe të pandëshkueshmërisë. Jo vetëm që e largoi, por pas katër vitesh i dha një humbje elektorale edhe më të rëndë. Dhe tani ja ku jemi, nuk duan që të përballen në zgjedhjet lokale të qershorit sepse i pret një tjetër humbje e qartë.

Cili është pozicioni juaj dhe i qeverisë përballë një minorance që heq dorë në grup nga Parlamenti?
Kanë bërë gjithçka për të bllokuar reformën që kemi ndërmarrë bashkë me Komisionin Europian dhe Misionin Amerikan në Drejtësi, por nuk kanë mundur të na ndalojnë. Tani është duke ndodhur një revolucion i vërtetë në sistemin e vjetër dhe të korruptuar të drejtësisë, nën monitorimin e miqve europianë dhe amerikanë. Një prokurori speciale kundër korrupsionit për funksionarët e lartë është gati të nisë punën, sipas marrëveshjes së re Kushtetuese në drejtësi që kemi miratuar. Më shumë se 50 magjistratë dhe gjyqtarë të korruptuar, të lidhur me keqbërjen e atij pallati për vite, janë nxjerrë jashtë falë procesit të Vettingut. Qindra të tjerë janë në radhë për t’u hetuar. E gjithë kjo bëhet nën vëzhgimin e një skuadre të paanshme ekspertësh ndërkombëtare. Sigurisht që kanë motive të forta nga disa të pushtetit të vjetër për t’u rebeluar ndaj kësaj qeverie.

Përse opozita ju akuzon për korrupsion?
Çfarë tjetër mund të bëjnë në situatën e vështirë që gjenden? Njerëzit nuk u venë pas dhe i përndjek frika nga drejtësia.

Si është e mundur që shumë kryebashkiakë të Partisë Socialiste, partia juaj, kanë pasur probleme me drejtësinë?
Kjo nuk është e vërtetë. Ne qeverisim në gati tre të katërtat e Shqipërisë në nivel lokal dhe ka pasur vetëm një kryebashkiak që është larguar sipas ligjit të ri mbi precedentët penale, një lloji ligji “Severino” shqiptar, por shumë më e ashpër. Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të flas në gjuhë të huaj për kundërshtarët e mi politikë, por ajo që i kanë bërë vendit javën e fundit, duke eksportuar imazhe dhune mbi institucionet, është e pafalshme.

Të kthehemi tek kryebashkiakët socialistë. Ata që rezultojnë të jetë ende nën hetim nga ana e magjistraturës do të rikandidohen në qershor?
Aktualisht, asnjë prej kryebashkiakëve tanë nuk është nën hetim. Shihni se si mashtrimet dhe shpifjet bëjnë xhiron e botës?

Sa përgjegjës ndiheni prej faktit që dy prej ish-ministrave tuaj janë nën hetim?
I pari u akuzua në lidhje me disa përgjime që u ishin bërë dy trafikantëve nën proces në Katania, por edhe pse ky sulm mbante erë, unë kërkova largimin e tij nga grupi parlamentar dhe nga të gjitha rolet në krye të partisë. Ndërsa, për vëllanë e ministrit kishte një dënim të shumë kohëve më parë, që nuk ishte ekzekutuar asnjëherë, sepse shteti italian nuk kishte kërkuar ekstradimin.

Me riorganizimin e qeverisë, fituat ju apo fituan studentët?
Unë nuk kam dashur kurrë të fitoj mbi njerëzit, por gjithnjë kam dashur dhe dua të bëjë më të mirën për njerëzit dhe t’i dëgjoj njerëzit. Studentët e dinin dhe ka qenë një çast me intensitet të lartë, por edhe i një bukurie të madhe të demokracisë tonë ende të re, të brishtë dhe jo perfekte.

Përse shumë shqiptarë, mbi të gjitha të rinj, shkojnë të punojnë në Gjermani?
Përse shumë italianë të jugut, mbi të gjitha të rinj, shkojnë të punojnë në veri? Dhe përse shumë mjekë italianë shkojnë në Gjermani e kështu me radhë? Përgjigja është e qartë, Shqipëria nuk është Italia, edhe pse italianët janë shqiptarë që vishen me “Versace”. Kur ju kishit demokraci dhe zhvillim ekonomik, ne ishim Koreja e Veriut e Europës. Në këto 30 vitet e fundit kemi bërë hapa prej gjiganti në të gjitha drejtimet, ndonëse në anën tjetër kemi rrënuar shumë burime dhe bukuri. Por sigurisht që kemi probleme dhe duhet të bëjmë më shumë, me sakrifica dhe durim kundër varfërisë, korrupsionit, krimit dhe shumë të tjera. Ky quhet modernizim. Dhe nëse Italia e madhe arrin me vështirësi të aspirojë një një shtet të së drejtës dhe të efektshëm si modeli gjerman, mendoni pak sa e vështirë është për Shqipërinë e vogël.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA