Pas dy humbjeve radhazi, Kukësi arriti të rikthehet te fitorja, pasi mposhti me jo pak vuajtje Kamzën e vendit të fundit , me rezultatin final 3-2, në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”.

Verilindorët kaluan në avantazh që në minutën e 8’ me anë të sulmuesit Vasil Shkurtaj dhe u duk se çdo gjë do të ishte e lehtë për ta, por Kamza nuk u dorëzua dhe riktheu baraspeshën në minutën e 41-të me anë të Fukuit, pas një pasigurie të portierit Frashëri.

Në pjesën e dytë Cungu hodhi në fushë Valdet Ramën dhe Eduart Rrocën, të cilën njëri në minutën e 48’ dhe tjetri në të 60-ën, arritën të shënojnë duke çuar rezultatin 3-1 për verilindorët.

Megjithatë Kamza nuk kishte ndërmend të dorëzohej dhe pas disa manovrave sulmuese radhazi, arriti të rikthejë baraspeshën në minutën e 76’, pas golit të shënuar nga sulmuesi argjentinas Martinena.

Kjo bëri që 15 minutat e fundit të takimit të ishin mjaft interesante dhe të luftuara nga të dy ekipet, por në fund festoi Kukësi, që u rikthye edhe njëherë në vendin e dytë, në kuotën e 41 pikëve, 8 më pak se Partizani kryesues.

Nga ana tjetër, Kamza mbetet në vendin e fundit, tashmë plot 9 pikë larg Luftëtarit të vendit të 8 dhe mbijetesa në mos e pamundur, është një mision tejet i vështirë.

Kastrioti dhe Laçi ndanë nga një pikë në përballjen mes tyre, të vlefshme për javën e 23-të të Kategorisë Superiore, që u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit.

Në një sfidë mjaft të luftuar nga të dy skuadrat, ishte Laçi që kaloi i pari në avantazh, duke shënuar që në minutën e 10′ me anë të mbrojtësit shkodran Abdurrahman Fangaj.

Kundërpërgjigja e krutanëve erdhi në minutën e 51-të, kur Shehu arriti të mposhtë portierin Selmani dhe të rikthejë baraspeshën, rezultat ky që mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit kryesor. Me këtë barazim, Kastrioti mbetet në vendin e parafundit, por tashmë në kuotën e 19 pikëve dhe sheh që Luftëtari e Tirana t’i largohen disi.

Top Channel