Për shkak të motit të keq, dy barinj kanë rënë në greminë në Buzhalë të Pukës. Dy të rinjtë, Pjetri e Maka, 20 dhe 24 vjeç, ishin në mal me bagëtitë kur nisi stuhia me erëra të forta.
Drejt zonës u nisën ambulanca nga Shkodra, por komunikimi është i vështirë dhe pak detaje dihen nga incidenti.
Gjatë ditës së shtunë, erërat shkaktuan probleme edhe në Vaun e Dejës, duke shkulur çati dhe duke prishur ndërtime të lehta. Forca e erës ishte shumë e madhe dhe ka këputur edhe linjat e energjisë elektrike, ndërsa e ka bërë pothuajse të pakalueshme një urë metalike, duke shkulur gjithë bazamentin e saj. Në Bushat, era e fortë i shkatërroi serat e sapombjella nga fermerët.
Një familje i shpëtoi erës së fortë në Lezhë, kur era ia prishi çatinë ndërsa po flinin.
Një kamion i ngarkuar me polisterol u përmbys në rrugë mbi urën e lumin Mat. Fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz. Erërat kanë ndihmuar edhe në përhapjen e zjarreve në disa zona të vendit. Dy persona iu shpëtuan flakëve në Ishull Lezhë. Zjarri ra në një magazinë, dyshohet për shkak të një shkëndije elektrike.
Mbrëmjen e së shtunës, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e Krapsit në Fier. Terreni i vështirë ndërlikoi operacionin për shuarjen e flakëve në pyjet me pisha të zonës.
Top Channel