Kristof Piatek po rezulton blerja më e mirë e Milanit në merkaton e transferimeve.

Sulmuesi polak po shënon në çdo ndeshje të kuqezinjve dhe kjo u pa edhe në përballjen me Empolin, të cilin Milani e fitoi 3-0, duke rihapur sfidën me rivalët e Interit për vendin e tretë në Serinë A.

Impakti i Piatek te skuadra e Milanit është fantastik, me sulmuesin që nuk ka rreshtur së shënuari në këtë sezon dhe tashmë është vënë në ndjekje të Messit. Me golin ndaj Empolit, Piatek shkoi në kuotën e 26 golave në 27 ndeshje, 18 në Serinë A (13 me Genoan e 5 me Milanin) dhe 8 në Kupën e Italisë (6 nga të cilat me Genoan dhe 2 me kuqezinjtë). Shifra këto impresionuese që qëndrojnë vetëm pas statistikave të Lionel Messit në këtë sezon, që është në kuotën e 30 golave në 31 ndeshje dhe me 2 kompeticione më shumë: Superkupën e Spanjës dhe Ligën e Kampioneve.

Por jo vetëm kaq, Piatek shkruan edhe një faqe të historisë së futbollit italian pasi bëhet lojtari i 10 që shënon të paktën 4 gola gjatë një sezoni në Serie A me 2 skuadra të ndryshme.

Objektivi i radhës së Piatek është rekordi i Milanit i vitit 1998. Në atë vit, Oliver Bierhoff, në periudhën shtator-tetor shënoi në të 4 ndeshjet e tij të para si titullar me fanelën kuqezi.

Top Channel