Një portal nga Presheva publikoi, pa cituar burime, 22 pika, për të cilat thotë se janë pikat kyçe të draftmarrëveshjes së propozuar të “Traktatit të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë” mes Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, Rusisë dhe Francës.
Lajmi u ripublikua nga shumë medie “online” në Kosovë dhe Serbi, duke krijuar një pështjellim të madh. Top Channel kontaktoi me gazetarin e këtij televizioni, Zejni Dauti, i cili tha se ky nuk është një lajm i tyre, por status i një personi në Facebook, pa dhënë detajet se të kujt.
Megjithatë, ky lajm – “fake news” apo i vërtetë – është përhapur me shpejtësi. Po çfarë thuhet në të dhe si është shpjeguar shkëmbimi i territoreve?
“Kufiri perëndimor mes dy shteteve është tërë vija gjatësore e Liqenit Ujman (Gazivodë). Nga ana kosovare në linjën: Vitkovigje – Bërnjak – Rezallë – Kovaç – Zubin Potok. Nga ana serbe pjesa mbi Zubin Potok deri në kufirin aktual”.
Në pikat e asaj që pretendohet nga media shqiptare në Preshevë ka një përcaktim edhe për Mitrovicën.
“Mitrovica bashkohet, merr statusin ‘FREE CITY’ me afat kohor prej 35 vitesh, jo më shumë se 99-vjeçare, e përfshin rrethin me kufinjtë Zemanicë – Dren – Ceraj – Maxhere – Stari Tërg – Bajgor – Kqik i Madh – Koshutovë – Zupçe. Administratori apo kryetari i qytetit është me presidium: një serb, një shqiptar dhe një i caktuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së me mandat 5-vjeçar. Qyteti ka edhe Kuvendin e tij me 50 deputetë të ndarë përgjysmë, si dhe 5 të huaj të caktuar nga administratori i huaj”.
Bujanoci merr statusin “Special District” për 35 vite, jo më shumë se 99 vite, dhe statusin “FREE TAX ZONE”. Presheva hyn tërësisht në Kosovë, Medvegja si qytet mbetet nën Serbi me disa fshatra, ndërsa Trepca…
“Merr status special me krijimin e konsorciumit të përbashkët nga kapitali amerikan-francez-rus-kinez për 99 vite në shfrytëzim. Nga kontributet 15% i ndahen Mitrovicës, 35% për Serbinë dhe 50% për buxhetin e Kosovës”.
Ujmani (Gazivoda) bëhet pronë e përbashkët serbo-shqiptare me administrim sipas konventave ndërkombëtare. Investimet dhe administrimi teknik i jepet një kompanie angleze dhe gjermane për 99 vite.
Sipas portalit nga Presheva, Serbia merr statusin shtet anëtar i BE-së brenda vitit 2021-2022, kurse Kosova brenda vitit 2030. Serbia përfiton një plan “Marshall” me investime prej 3.5 miliardë eurosh për infrastrukturë moderne dhe investime strategjike, ndërsa Kosova përfiton nga ky plan investime prej 1.2 miliardë eurosh.
Ky lajm ka prodhuar reagime të menjëhershme. Njëri prej udhëheqësve kryesorë të UÇK-së, Bardhyl Mahmuti ka thënë se dikush po manipulon me një hartë, në të cilin pretendohet se Kosova fiton më shumë në një shkëmbim të mundshëm territoresh me Serbinë.
Top Channel