Të armatosura me leva dhe me veshje mbrojtëse, 3 gra të mbledhura në një klinikë stresi në Xhakarta të Indonezisë shohin me vëmendje morinë e shisheve që do t’i thyejnë në 1.000 copa. Të treja ato derdhin gjithë zemërimin që kanë brenda tyre, me në sfond muzikë “rock” sigurisht.

“Ndihem e çliruar. Sikur diçka që e mbaja përbrenda u derdh jashtë, ndërsa shkatërroja ato shishe”, tha Genta Kalbu Tanjung.

Ajo dhe dy shoqet e saj kanë paguar 125 mijë rupiah, ose 8.85 dollarë secila, për të zbrazur zemërimin e tyre në klinikën “Temper”, që po ashtu i lejon klientët të shkatërrojnë edhe televizorë apo printera të vjetër, por me një çmim pak më të lartë.

Brenda një dhome shkatërrimi, në njërin muri shkruhet “Të mbash zemërimin brenda është si të pish helm dhe të presësh që personi tjetër të vdesë”.

Klinika u hap verën e kaluar, në një lagje të Xhakartës, pasi një prej pronarëve kishte parë diçka të ngjashme në një udhëtim jashtë vendit.

E para hapësirë për një terapi të tillë shkatërrimi u hap në Japoni në vitin 2008, me qëllimin që të ndihmonte rrogëtarë të stresuar të zbusnin frustrimet e tyre. Popullariteti i tyre është rritur dhe tashmë mund të gjenden në qytetet kryesore në SHBA dhe Europë. Trendi po njeh shpërthim këto dy vite në Azi, me sipërmarrje të tilla që po shfaqen në Kinë, Singapor dhe Hong Kong.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA