Gjermania: Dorëheqjet, të gabuara. Platforma për zgjidhjen e konflikteve, Parlamenti.

22/02/2019 19:39

Qëndrimi i Berlinit zyrtar është se djegia e mandateve nga opozita shqiptare ishte veprim i gabuar.

Në një prononcim për “Deutsche Welle”-n, Ministria e Jashtme gjermane thekson se konflikti politik duhet të zgjidhet në Parlament, ndërsa akuzat për manipulimin e procesit zgjedhor duhet të trajtohen nga organet e drejtësisë.

Vendimi i opozitës për djegien e mandateve nuk mbështetet as nga partia simotër e Partisë Demokratike në Gjermani, CDU-CSU. Të djathtët gjermanë, përmes zëdhënësit Florian Hahn paralajmërojnë demokratët se me veprimin e tyre ekstrem do të shkaktojnë stanjacion politik, duke rrezikuar rrugëtimin europian të vendit: “Shqipëria për momentin është duke luajtur shumë me kredibilitetin tek miqtë evropianë. Në rast se perspektiva për çeljen e negociatave për në BE në mesin e vitit të kaluar ishte ende rozë, tani po shfaqen re të zeza. Protestat e aktuale në Tiranë pengojnë qeverinë, si dhe paralizojnë funksionimin e parlamentit. Por deputetët e partive tona partnere në Shqipëri i bëjnë një shërbim të keq (autogol) qëllimit të tyre, nëse nëpërmjet dorëzimit masiv të mandateve do të shkaktojnë një stanjacion politik dhe do të nxisin protesta të dhunshme”.

Grupi CDU-CSU apelon palët që të nisin menjëherë dialogun: “Një qëndrim refuzues nuk i shërben as vendit, as qytetarëve. Qeveria dhe opozita duhet të zhvillojnë menjëherë bisedime, në mënyrë që të rifillojë funksionimi i parlamentit dhe të rivendosen marëdhënie të qarta. Perspektiva evropiane është vënë në rrezik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA