Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç pretendon se presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord para 5 vitesh me idenë e përvijimit të kufirit mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Putin është pajtuar 5 vite më parë me këtë propozim. Kam biseduar shumë herë me të mbi këtë çështje, si unë, ashtu dhe Aleksandar Vuçiç”, ështe shprehur shefi i diplomacisë serbe.

Deklaratat e tij pasojnë ato të ministrit serb të Teknologjisë dhe Inovacionit, Nenad Popoviç, i cili pati pohuar se kreu i shtetit rus nuk pajtohet me idenë e vënies së kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Popoviçi me siguri është informuar gabim”, citohet të ketë thënë Daçiç, i cili i quajti deklaratat e kolegut si “të dëmshme për Serbinë”.

Ministri serb i Inovacionit njihet për lidhjet e tij të afërta me Putinin.

Përplasja mes tij dhe Daçiçit për çështjen e kufirit vjen pak ditë pasi kryediplomati tha se përcaktimi i linjës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë është propozim zyrtar i Beogradit, e vetëm 24 orë më vonë e tërhoqi deklaratën, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për një ide të zyrtarëve shtetërorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA